Deputetët vazhdojnë që të dështojnë të konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja. Ekspertët e çështjeve juridiko-kushtetuese i kanë kritikuar partitë parlamentare për keqpërdorim të vakumit ligjor për formimin e Kuvendit.
Sot u mblodhën për të 36-ën herë radhazi, çka ndodh çdo dy ditë që nga 15 prilli e sërish u larguan shpejt, pa gjetur zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik. Ata do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të mërkurën e 25 qershorit.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo është hera e 27-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se “Kushtetuta nuk përcakton ndonjë afat të qartë kohor për konstituimin e Kuvendit” dhe sipas tij, “ky boshllëk po keqpërdoret nga partitë politike”.
Hartuesit e Kushtetutës nuk kanë mundur ta parashihnin këtë devjim, këtë destruksion, i cili në suaza normale nuk është dashur të ndodhte, u shpreh Kryeziu, duke iu referuar bllokimit të procesit.
Vetëvendosjes, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi e këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë e tjera, nuk është e pranueshme dhe konsiderohet “figurë përçarëse”.
Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit, nga e hapur në të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë e të marrë një vendim”.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.