Pas një periudhe të gjatë pritjeje pas sezonit të katërt, “Stranger Things” ka rikthyer shikuesit në një dimension të ri të mistereve dhe dramës, ndërkohë që mbetet besnik ndaj elementëve të saj karakteristikë: trillerit shkencor, dramës emocionale dhe frymës nostalgjike të viteve ’80. Katër episodet e para të sezonit të pestë të “Stranger Things” ofrojnë një balancë mes zhvillimeve të reja dhe thellimit të karaktereve që fansat i kanë ndjekur ndër vite.
Në këto episode të para, historia duket se përqendrohet në pasojat e betejës përfundimtare me Vecnan, si dhe përpjekjet e ekipit për të mposhtur kërcënimet e reja që vijnë nga një dimension tjetër. Ndërsa intrigat rreth “monstrës” dhe të kaluarës së saj janë bërë më të thella, misteret përreth Vecna dhe realitetit të dyfishtë që ndodhen përballë, vazhdojnë të mbajnë fansat të varur pas çdo skene. Megjithatë, ndonëse sezoni i ri ka disa elementë që prekin tema të njohura, ai fillon të ndiejë një dozë të caktuar përsëritjeje ku ndodhin ngjarje të ngjashme me ato të mëparshme, por tani ndoshta me një intensitet më të lartë.
Duhet thënë se për fansat e serialit është një gëzim i madh të shohësh se si aktorët janë rritur dhe zhvilluar me kalimin e kohës. Dastin, Eleven, Mike, Nancy, të zhvilluar dhe shumë të natyrshëm në rolet e tyre. Të gjithë janë më të thelluar emocionalisht, veçanërisht Eleven, e cila vazhdon të përballet me pasojat e fuqive të saj dhe ndikimin që ato kanë mbi marrëdhëniet dhe psikologjinë e saj. Performanca e Millie Bobby Brown është, si gjithmonë, një nga pikat më të forta të serialit, ajo tregon një gamë të gjerë emocionesh që variojnë nga pasiguria tek fuqia ekstreme, gjithmonë duke mbajtur një ndjeshmëri të thellë.
Kinematografia e “Stranger Things” ka vazhduar të rritet, duke përdorur më shumë elemente fantastiko-shkencore dhe efekte speciale që pasqyrojnë saktësisht atmosferën e viteve ’80. Skenat në Upside Down janë të mbushura me frymë të re, dhe efekti i përdorur për të krijuar kërcënimet dhe krijesat që lindin nga ky dimension, është mahnitës. Ngjyrat dhe kompozimi i skenave vazhdojnë të luajnë një rol të madh në ndërtimin e tensioneve vizuale, duke krijuar një ndjenjë të përhershme frike dhe ankthi.
Megjithatë, ndonjëherë përdorimi i efekteve speciale duket i tepruar, përkundër faktit se narrativa e shfaqjes vazhdon të mbetet fuqimisht njerëzore dhe emocionuese. Pavarësisht kësaj, efektet kanë një ndikim të fortë që e mbajnë publikun të përqendruar. Po ashtu duke qenë se Eleven ka ndryshuam shumë krahasimisht me fëmijët e tjerë, duket se e ka humbur pak shkëlqimin në sytë e adhuruesve. Këtë sezon e ‘rrëmben” Will i cili më në fund shfaq fuqitë e tij të mbinatyrshme dhe i përdor ato më së miri.
Si çdo sezon i “Stranger Things”, nuk mungojnë referencat dhe frymëzimet nga kultura pop e viteve ’80. Nga filmi dhe muzika tek teknologjia dhe stili, nostalgjia është një element që ndihmon serialin të ndjehet i ngrohtë dhe i njohur për shumë shikues.
Sezoni i pestë i “Stranger Things” shënoi debutimin më të madh ndonjëherë për një serial anglisht në platformë, duke mbledhur 59.6 milionë shikime në pesë ditët e para. Ky start i fuqishëm e ngjit menjëherë serialin në podiumin historik të Netflix-it, ku pozicionohet si debutimi i tretë më i madh i të gjitha kohërave i tejkaluar vetëm nga dy sezonet e “Squid Game”. Rritja krahasuar me sezonin e katërt është e jashtëzakonshme.
“Stranger Things 5” do të mbyllet brenda këtij muaji, me tre episode të reja në Ditën e Krishtlindjes, ndërsa finalja e madhe transmetohet më 31 dhjetor.