Për të tretën ditë rradhazi, në Shqipëri shënohen vetëm 4 raste të reja me koronavirus. Në total janë 880 të prekur në vendin tonë. Mes 4 rasteve të 24 orëve të fundit, nga 246 të testuar, dy janë në Tiranë e dy në Berat, përfshirë një grua shtatëzënë. 6 vetë u shëruan 24 orët e fundit dhe numri i atyre që fituan betejën me koronavirusin shkon në 688. Në të gjithë vendin janë 161 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër.
Situata në spitale vijon e qëndrueshme. Te Infektivi e te “COVID-2” “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 21 pacientë dhe vetëm një në terapi intensive. Ministria e Shëndetësisë thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale. Gjithashtu, bizneseve iu kërkohet nga autoritetet të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11.578 testime, nga të cilat, 11.048 molekulare dhe 530 serologjike.