Futbollisti i Borussia Dortmund dhe partneri i reperes Loredana, Karim Adeyemi, ka reaguar për herë të parë pas bujës që shkaktoi lajmi se ishte gjobitur me rreth 450 mijë euro nga autoritetet gjermane.
Sipas mediave gjermane, Adeyemi u vu nën hetim pasi në një pako të porositur online u gjetën objekte të ndaluara nga ligji. Vetë futbollisti e ka quajtur ngjarjen një “gabim të madh nga pakujdesia”.
Në një Instastory, ai shpjegoi se gjithçka nisi në fillim të vitit 2024, kur kishte porositur nga interneti një të ashtuquajtur “Mystery Box” nga “Darknet”, pa menduar pasojat. Brenda saj, sipas tij, ndodheshin objekte që ligji gjerman i klasifikon si armë të ndaluara.
Pakoja, që kishte mbërritur me muaj vonesë, përfundoi e paçelur në duart e policisë, duke hapur kështu procedurat ligjore dhe më pas edhe gjobën e majme.
Ishte një gabim i madh. Më vjen shumë keq dhe e ndiej thellë pendesën. Jam një figurë publike dhe duhet të jem shembull, këtë herë nuk e kam përmbushur
-shkroi Adeyemi, duke pranuar se ndihet i goditur jo vetëm financiarisht, por sidomos moralisht.
Ai shtoi se kjo histori e ka bërë të kuptojë sa e rëndësishme është të jetë i kujdesshëm, veçanërisht për shkak të ndikimit që ka tek të rinjtë.
Në fund, falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke premtuar se një situatë e tillë “nuk do të ndodhë më”.