Dhoma e ndenjes është zemra e shtëpisë, vendi ku relaksohemi, presim miq dhe kalojmë mbrëmjet familjare. Por pikërisht sepse përdoret kaq shumë, ajo shpesh shndërrohet në hapësirën më të rrëmujshme të shtëpisë.
Ekspertët e organizimit, të cilët kanë folur për portalin The Spruce, zbulojnë se cilat janë gjërat që shkatërrojnë harmoninë e dhomës dhe si mund ta riktheni rendin me hapa të thjeshtë.
Sipas specialistëve, sa më pak sende të panevojshme të kemi përreth, aq më e qetë dhe e ngrohtë ndihet hapësira.
Këshilla kryesore? Çdo gjë duhet të ketë vendin e vet, dhe të mos mbetet kurrë “përkohësisht” mbi divan apo tavolinë.
Tavolina e mbushur me sende
Filxhanë, telekomanda të shpërndara, libra apo suvenire, të gjitha krijojnë kaos vizual. Ekspertja Mari Poter thotë se tavolina duhet kthyer në një kënd elegant: vetëm disa objekte të zgjedhura me kujdes, si një qiri ose një bimë e vogël. Zgjidhni tavolina me hapësira të fshehura ruajtjeje që të mbani rrëmujën larg syve.
Pjata dhe gota të lëna pas darkës
Shikimi i serialeve me darkë sjell shpesh pasojën e thjeshtë: enët dorëzohen në tavolinë deri mëngjesin tjetër. Organizatorja Barbara Brok paralajmëron se kjo jo vetëm prish pastërtinë, por mund të tërheqë edhe insekte. Zgjidhja? Një tabaka ose tavolinë ndihmëse që shkon me ju drejt kuzhinës sapo mbaroni së ngrëni.
“Sendet e përkohshme” që nuk largohen kurrë
Posta e sapoardhur, çantat, këpucët, paketat, të gjitha grumbullohen pikërisisht aty ku nuk duhet: në dhomën e ndenjes. Poter thekson se përkohësia shndërrohet shpejt në rrëmujë të përhershme. Ajo sugjeron rregullin e një minute: gjithçka që mund të sistemohet brenda 60 sekondave, bëjeni menjëherë. Kështu hapësira mbetet gjithmonë e pastër.
Kabllot dhe pajisjet teknologjike
Konzolat e lojërave, karikuesit dhe telekomandat e shumta krijojnë pamje të ngarkuar dhe të lodhshme. Ekspertët rekomandojnë shporta dekorative, kuti me kapak, apo mobilje me dyer për t’i fshehur këto elemente. Një herë në muaj bëni kontrollin e pajisjeve dhe hiqni ato që s’i përdorni më. Më pak teknologji e dukshme = më shumë qetësi.
Rrobat e palara dhe të pa palosura
Shpesh palosen përpara TV-së… por rrallë përfundojnë aty ku duhet. Brok sugjeron që nëse nuk i palosni menjëherë, t’i zhvendosni në një hapësirë tjetër. Krijoni një “kënd palosjeje” pranë vendit ku lani rrobat, që t’ju ndihmojë ta përfundoni punën më shpejt dhe të mos e ktheni dhomën e ndenjes në lavanderi të hapur.
Ekspertët theksojnë se dhoma e ndenjes nuk duhet të jetë “e zbrazët”, por e menduar mirë.
Një ambient i organizuar sjell qetësi, harmoni dhe e kthen vërtet në vendin ku relaksoheni çdo ditë.