Menopauza shënon përfundimin natyror të ciklit menstrual të një gruaje, e përcaktuar zyrtarisht kur nuk ka pasur menstruacione për 12 muaj rresht, pa ndërhyrje hormonale apo mjekësore. Kjo fazë, që zakonisht ndodh rreth moshës 45–55 vjeç, paraprihet nga perimenopauza – një periudhë tranzicioni që mund të zgjasë deri në 10 vjet.
Edhe pse mosha e menopauzës përcaktohet kryesisht nga gjenetika, ekspertët thonë se disa faktorë të stilit të jetesës dhe historisë riprodhuese mund të ndikojnë në vonimin e saj.
Faktorët që mund të vonojnë menopauzën:
– Shtatzënitë dhe ushqyerja me gji: Gratë që kanë pasur më shumë shtatzëni dhe kanë ushqyer me gji për periudha të gjata kanë më pak gjasa të përjetojnë menopauzë të hershme, sipas “American Journal of Clinical Nutrition”.
– Përdorimi i kontraceptivëve oralë: Pilulat që frenojnë ovulacionin mund të ndihmojnë në ruajtjen e rezervës së vezoreve, duke shtyrë kështu fillimin e menopauzës.
– Edukimi dhe statusi socio-ekonomik: Një studim ndërkombëtar tregoi se gratë me arsim më të lartë shpesh përjetojnë menopauzë më vonë, ndoshta për shkak të një jete më të qëndrueshme dhe kujdesi më të mirë shëndetësor.
– Ushqyerja e shëndetshme: Dieta e pasur me fruta, proteina dhe ushqime me antioksidantë mund të ndihmojë në zgjatjen e funksionit ovarian.
– Shmangia e duhanit: Pirja e duhanit është një nga faktorët më të njohur që nxit menopauzën e hershme, pasi nikotina dëmton vezoret dhe ul prodhimin e estrogjenit.
Çfarë do të thotë një menopauzë e vonuar për shëndetin?
Përfitimet:
– Rrezik më i ulët për osteoporozë dhe fraktura
– Mbrojtje më e gjatë për zemrën dhe enët e gjakut
– Jetëgjatësi më e lartë
Rreziqet:
– Rritje e rrezikut për disa kancere të ndjeshme ndaj estrogjenit, si ai i gjirit dhe mitrës
Megjithëse nuk ka mënyrë të sigurt për të ndalur kohën biologjike, mbajtja e një stili jetese të shëndetshëm mund të luajë rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit hormonal dhe ndoshta në shtyrjen e menopauzës.