Bota

Ajatollah Ali Khamenei u vra, kush është tani në krye të Iranit?

Zyrtari kryesor i sigurisë në Iran, Ali Larijani tregoi se është duke u themeluar një këshill i përkohshëm i udhëheqjes së re, pasi sulmet amerikane dhe ato izraelite vranë figura të larta shtetërore, përfshirë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Alireza Arafi, prej kohësh emër me rëndësi në lidershipin klerik të Iranit, u emërua në Këshill si figurë e përkohshme zëvendësuese e Khameneit. Tani, ai është përkrah presidentit, Masud Pezeshkian dhe kreut të gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei. Ky bord prej tre personash do të udhëheqë Iranin derisa Asambleja e Ekspertëve të mblidhet për të zgjedhur liderin e ri suprem.

Turma njerëzish në qytezën iraniane Galleh Dar rrëzuan një përmendore kushtuar themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini. Ndërkaq, vrasja e pasuesit të tij, Khameneit ka nxjerrë në pah përçarje të madhe në Iranin e tronditur nga rënia e papritur e njeriut që sundoi për 36 vjet.

Qeveria e Kosovës mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Kryeministri Albin Kurti ritheksoi qëndrimin e qartë të institucioneve se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve strategjikë e në veçanti Shteteve të Bashkuara, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç bëri të ditur se Ambasada e Serbisë në Iran u dëmtua gjatë sulmeve në Teheran dhe se stafi po zhvendoset në Baku të Azerbajxhanit. Radiotelevizioni i Serbisë raportoi se nuk ka të plagosur në sulm.