Aktualitet

Aksident i frikshëm në Durrës, 22-vjeçarja humbi drejtimin e makinës!

Shkaktoi aksident një automjet i drejtuar nga një e re, që mbrëmë lëvizte me shpejtësi në një nga zonat kryesore të qytetit të Durrësit, te “Rruga e Dëshmorëve”, pranë rrethrrotullimit te Pallati i Sportit.

Paraprakisht, u njoftua se drejtuesja humbi kontrollin e mjetit për shkak të lëvizjes mbi normat e shpejtësisë.

Pas kalimit të rrethrrotullimit, 22-vjeçarja doli nga rruga dhe makina e drejtuar prej saj u përplas me një pemë, si edhe me një automjet tjetër e me një nga dyqanet buzë rrugës. Mjeti përfundoi në hyrjen e një pallati ku shumë pranë ndodheshin dy persona, që fatmirësisht shpëtuan pa u dëmtuar.

E reja u dërgua në Spitalin e Durrësit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Për aksidentin, nuk ka ende një njoftim zyrtar nga policia.