Aktualitet

Aksident me vdekje në Përmet, humb jetën i moshuari!

Një i moshuar humbi jetën në një aksident rrugor të shënuar mëngjesin e sotëm pasi u përplas nga një makinë në aksin Përmet-Çarçovë. Policia njoftoi:

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:10. Shtetasi A.M., 52 vjeç, banues në Përmet, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin S.P., 90 vjeç, banues në Përmet, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit u shoqërua në komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Aksidenti shënohet 4 ditë pas atij të mbrëmjes së 24 gushtit në Sarandë-Delvinë me pasojë vdekjen e dy motrave Dhimaku dhe me të plagosur shoqen e tyre për shkak se një 24-vjeçar i dehur në timon u erdhi përballë me makinën e tij pas parakalimit të gabuar. Për deputetin socialist Erion Braçe, për ngjarje të tilla, shkaktuesi i aksidentit duhet të dënohet si vrasës me dashje.

Të dehesh, të marrësh makinën, të dalësh me të në rrugë, të ecësh me shpejtësi përtej normës, të hysh në parakalim të gabuar dhe t’i shkosh tjetrit përballë në korsinë e tij, nuk është aksident, as aksident me pasojë vdekjen! Është vrasjeeee me pasojë vdekjen e dy vajzave të reja dhe plagosjen e një të trete.

Kodi ynë Rrugor e Kodi ynë Penal nuk e njeh këtë nocion, ndërkohë në rrugë ndodh si vrasje me dshje madje! Duhet të ndryshojmë dy ligjet sa më parë; Dëgjoja dje arrestohet shoferi, ishte i dehur, ishte me shpejtësi, hyri në parakalim të gabuar;

Ja u arrestua, po pastaj? Do hetohet e gjykohet për aksident me pasojë vdekjen? Nuk është i tillë! E dyta, dëgjova po dje se autori është punonjës i Ministrisë së Brendshme; Nuk e di në qëndron kjo apo jo. Por një ligj i ri për përgjegjësitë përtej punës që bëjnë për punonjësit e shtetit duhet të hartohet sa më parë, tani! Doemos këta duhet të kenë përgjegjësi publike, më shumë se çdo qytetar i zakonshëm.

Dëgjoj shpesh, përdori armën e shërbimit e vrau gruan, sulmoi komshiun, kërcënoi një tjetër në lokal, ndërtoi pa leje, shkeli ligjin dhe në fund, ishte punonjës i shtetit. Kjo nuk duhet të ndodhë më! Me ligj çdo punonjësi shteti duhet t’i ngarkohet përgjegjësi e t’i kufizohen akte që kanë në thelb paligjshmërinë duke përdorur fuqinë e të qenit në një zyrë shteti!