Aktualitet

Eneo dhe Klersi përcillen për në banesën e fundit/ “Bisha” në polici: Nuk mbaj mend gjë!

Sot i jepet lamtumira dy fëmijëve 9 e 12 vjeç që dje humbën jetën në aksidentin e shkaktuar nga fqinji i tyre ndërsa luanin në trotuar, në zonën e ish-Kënetës në Durrës.  I mituri i tretë i lënduar, 8 vjeç, për fat të mirë mundi të fitojë betejën dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Shoferi që vrau dy fëmijët që luanin në trotuar para shtëpisë, dha dëshminë e parë në polici, duke pretenduar se nuk mbante mend, pasi ishte i dehur.

Nikoll Radaçi, 57 vjeç, nga Mirdita jetonte në rrugicën ku shkaktoi aksidentin e njihej si njeri shumë problematik me sjelljen e tij të dhunshme. I pëlqente ta quanin “Bisha”, ndërsa policia tregoi se disa herë ndaj tij janë marrë masa ndëshkimore për sjellje jashtë rregullave në timon.

Pas tragjedisë, familjarët e Radaçit janë larguar nga zona, të shoqëruar prej uniformave blu.

Eneo Muça, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 9 u përplasën për vdekje nga një makinë me shpejtësi skëterre, e drejtuar nga Nikoll Radaçi. Në lot, banorët thanë se dhimbja është e madhe ndërsa përgjegjësinë e drejtuan nga shteti, që siç shprehen, ka lejuar një të dehur të qarkullojë në makinë e të marrë jetën e fëmijëve.