Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari reagoi lidhur me operacionin në Sarandë, ku u prangosën shefi i Komisariatit, tre specialistë, si edhe u pezullua Shefi i Seksionit të Krimeve. Në një postim në Facebook, Lamallari e cilësoi operacionin si një provë të qartë vullneti për pastrimin e radhëve të uniformave blu.
Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë. E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit. Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit.
Ministri paralajmëroi se çdo abuzim, nga mbyllja e syve përballë ndërtimeve pa leje deri tek kompromiset me elementë kriminalë, do të përballet me reagim të menjëhershëm dhe me “zero tolerancë”.
Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë. Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa!
Aksioni nisi si një ndërhyrje kundër betonizimit të bregdetit, por u thellua duke zbuluar zinxhirin e mosveprimit brenda uniformave blu.