Prokuroria Speciale e Kosovës sot ngriti aktakuzë në mungesë ndaj një të dyshuari për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
I dyshuari, i identifikuar vetëm me inicialet S.A., akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 13 civilëve dhe në plagosjen e katër të tjerëve më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Llashticë të Gjilanit.
Sipas aktakuzës, dyshohet ta ketë kryer krimin në bashkëpunim me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe.
Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një, thuhet në aktakuzë.
Prokurorët i kanë kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë të mundësojë mbajtjen e gjykimit në mungesë, duke qenë se i dyshuari nuk është i arritshëm për autoritetet kosovare. Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte.
Në korrik, Prokuroria ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës. Gjykimi në mungesë po mundësohet pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022-shin.
Por, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit. Ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë, janë ngritur disa dhjetëra aktakuza në mungesë kundër dhjetëra anëtarëve të forcave serbe, të dyshuar se kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë u realizua dhjetorin e vitit 2024, në rastin e Çedomir Aksiçit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile. Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13 mijë civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Mbi 1.500 persona vazhdojnë të pagjetur, pjesa më e madhe shqiptarë.