Rajoni

Albin Kurti: Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet nga të gjitha partitë!

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot nguli këmbë se nuk do ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, me gjithë mungesën e votave, duke theksuar se emërimi i kryeparlamentarit dhe formimi i Kuvendit të ri është detyrë e të gjitha partive parlamentare.

Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pavarësisht se a është ai fitues absolut apo relativ. Kuvendi themelohet nga të gjithë dhe bashkë, nga vendi i parë së bashku me vendin e dytë, të tretë dhe pakicat serbe e joserbe, deklaroi Kurti duke folur në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar trembëdhjetë herë radhazi deri tani ta konstituojnë parlamentin e ri. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke fituar 48 vende, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme për të qeverisur e vetme.

Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces. Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Një ditë para seancës së radhës, Kurti përsëriti se Vetëvendosje nuk ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër përveç Haxhiut.

Propozimi ynë është Albulena Haxhiu, ndërsa të tjerët lë ta propozojnë kandidatin e tyre kur t’u takojë atyre. Neve si fitues të zgjedhjeve na takon pozita e kryetarit.

Haxhiu dështoi në gjashtë seanca të merrte më shumë se 57 vota dhe pas kësaj, në seancat pasuese, kryesuesi i seancës, që vjen nga Vetëvendosje, propozoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar. Kurti kritikoi partitë parlamentare PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe që nuk po marrin pjesë në votim, duke e bërë të pamundur formimin e komisionit.

Ne nuk kemi bllokuar, sepse ne e kemi propozuar kandidatin tonë. Sikur mos ta bënin do të ishim bllokues. Ne nuk kemi bllokuar, sepse kemi votuar pro. Bllokues janë ata që votojnë kundër ose nuk votojnë fare për ta pamundësuar kuorumin, deklaroi Kurti.