Rajoni

Albin Kurti nuk ia doli të formojë qeverinë e re, çfarë ndodh tani?

Albin Kurti nuk ia doli. Si kryeministër në detyrë dhe i mandatuar për të formuar qeverinë e re të Kosovës, nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.

Tani i takon Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejshëm.

Kushtetuta e Kosovës përcakton se “nëse përbërja e propozuar e qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të votave të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar qeverinë”.

Drejtuesi i partisë së dytë me më shumë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që të shkohet në zgjedhje menjëherë.

Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes. Deri atëherë, në detyrë mbetet qeveria Kurti.

Partitë e mëdha shqiptare, ajo Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, patën thënë paraprakisht se s’kanë votë për Kurtin duke e akuzuar për “bllokim të shtetit” që prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja.

Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet, pikërisht për të ruajtur stabilitetin shtetëror.

Më herët në seancë, numri një i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në debat për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të lihet menjëherë hapësirë për votim.

LDK-ja nuk sheh arsye për debat, nuk do të dëgjojë fare asnjë debat. Na keni thënë ‘numrat i kemi’, urdhëroni mateni veten me numra!

Abdixhiku e quajti “mungesë të dinjitetit” sjelljen e të mandatuarit Albin Kurti, të cilin e kritikoi për prezantimin e tij dhe vuri në dukje se kjo mungesë e dinjitetit e ka bllokuar Kosovës që prej tetë muajsh, duke e lënë me qeveri në detyrë.

Nga LDK-ja u tha se po shkohet drejt zgjedhjeve të reja.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) u shpreh “i zhgënjyer” nga dështimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të formuar qeverinë e re, duke thënë se ky është një “zhvillim zhgënjyes pas kësaj krize të zvarritur institucionale”.

Ky rezultat është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së dialogut politik dhe e dështimit për të arritur marrëveshje që do të mundësonin funksionimin normal të institucioneve të vendit, thuhet në reagimin e KDI-së të publikuar në rrjetin social Facebook.

Si pasojë e “bllokadës dhe polarizimit të thellë politik”, KDI-ja thotë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte zgjidhja më e mirë.

Në këto rrethana, zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfaqësojnë opsionin më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për t’i dhënë fund kësaj krize dhe për t’i rikthyer qytetarëve mundësinë për të përcaktuar drejtimin politik të vendit.

Por, ky institut theksoi se as zgjedhjet nuk garantojnë se do të formohen institucionet e reja, nëse nuk ka vullnet për konsensus politik e kompromis.