Po raportohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pranoi kërkesën e emisarëve perëndimorë për një takim me liderët kryesorë europianë nesër në Bruksel. Kështu njofton Qeveria e Kosovës në një deklaratë zyrtare.
Bëhet e ditur se këtë të enjte, pra nesër, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç do të kenë takime të ndara me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, si edhe me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell.
Në Bruksel, ata u ftuan pasi fundjavën e kaluar, emisarët perëndimorë i kërkuan Kosovës e Serbisë që të normalizojnë marrëdhëniet e të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit. Diplomatët e bënë këtë gjatë një vizite në Prishtinë e në Beograd, në datën 21 tetor.
Gjatë takimit në Prishtinë, përfaqësuesi special i Bashkimit Europian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se me kryeministrin Kurti diskutoi lidhur me një plan.
Në njoftimin e sotëm, Qeveria e Kosovës theksoi:
Kurti ka shprehur pajtimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Francën e Italinë. Kjo kornizë do të duhet të sigurojë një komponent të fuqishëm të sigurisë e gjithashtu të fuqizojë perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës shtoi se kryeministri Albin Kurti do të takohet edhe me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Takimi do jetë në kuptimin e diskutimeve të nisura me pesë emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë në datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.
Takimet e Kurtit e Vuçiçit do të zhvillohen në prag të një samiti të BE-së dhe kureshtjen për to e shton një njoftim i bllokut. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano njoftoi se kanë bërë një propozim modern europian lidhur me statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.