Live From Tirana Zgjedhjet 2025

Alma Demiraj raporton nga Durrësi, vijon procesi i numërimit të votave! Ja rezultatet deri tani…

Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë.

Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.

Në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Edi Hallaçin, ka qenë gazetarja e Top Channel, Alma Demiraj për një raportim të situatës nga Durrësi:

Kanë mbetur edhe 2 KZAZ, ku po numërohen votat për qarkun e Durrësit. Janë 2 KZAZ në Bashkinë e Durrësit më konkretisht, pasi qarku i Durrësit përmbledh Bashkinë e Krujës dhe atë të Shijakut. Dhe KZAZ e Krujës dhe Shijakut janë mbyllur, ka mbaruar procesi i numërimit. Ka pasur gjithsej 493 qendra votimi qarku i Durrësit, nga të cilat janë numëruar 465. Pra mbeten për ditën e sotme 28 qendra votimi për t’u numëruar. Në KZAZ nr. 25 është ndërprerë procesi i numërimit. Unë ndodhem aktualisht në KZAZ nr. 23 ku po vijon procesi, janë diku tek 14 kuti ende që nuk janë numëruar. Besoj se pas mesditës do të dalë edhe përfundimi, pra rezultati i këtyre zgjedhjeve për qarkun e Durrësit. Por gjithsesi kemi të dhënat deri tani, për 465 qendra votimi të numëruara. Në avantazh është Partia Socialiste, ka një hendek të thellë me 15809 vota më tepër se Partia Demokratike. Konkretisht rezultati është ky; Partia Socialiste 67228 vota, ndërsa Partia Demokratike 51479 vota. Qarku i Durrësit ka ndarë në parlament 14 madate, pra 14 deputetë dalin nga qarku i Durrësit dhe në zgjedhjet parlamentare të kaluara, janë ndarë përkatësisht Partia Demokratike 6 deputetë dhe Partia Socialiste 8 deputetë. Por tashmë me këto rezultate, edhe pse priten ende votat e Diasporës të numërohen, por nëse do të vijojë ky trend në rritje i Partisë Socialiste, Partia Demokratike është duke riskuar mandatin e gjashtë. Çka do të thotë se nga Partia Demokratike, nëse do të vijojë ky hendek i thellë, atëherë Partia Demokratike do të përfaqësohet në Parlamentin shqiptar për qarkun e Durrësit, vetëm me 5 deputetë. Pra janë 5 emrat që janë në listën e mbyllur, që e kishin të sigurtë. Nuk ka hapësirë për listat e hapura, pra që kandidatë të tjerë të Partisë Demokratike të konkurronin ndërmjet tyre. Megjithatë, do të presim numërimin e votave të Diasporës dhe besoj se rreth pasdites do të kemi dhe rezultatin përfundimtar për qarun e Durrësit.