SHBA-të nisin shoqërimin e anijeve në Hormuz, Irani paralajmëron për shkelje të armëpushimit. Presidenti Donald Trump, njoftoi se nga sot, forcat amerikane do t’i shoqërojnë anijet neutrale të bllokuara pranë Ngushticës së Hormuzit, për t’i nxjerrë në mënyrë të sigurt nga zona.
Trump tha se kjo është një masë “humanitare”, ndërsa shtoi se SHBA-të po zhvillojnë “bisedime pozitive” me Iranin, për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme. Në Truth Social, Trump paralajmëroi se Amerika do të reagojë, nëse Irani përpiqet ta pengojë këtë mision, çka mund të rrezikojë edhe armëpushimin aktual.
Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se çdo përpjekje të SHBA-ve për të vepruar në ngushticë, Teherani e konsideron “shkelje të armëpushimit”.
Çdo ndërhyrje amerikane në regjimin e ri detar të Ngushticës së Hormuzit do të konsiderohet shkelje e armëpushimit, shkroi në X, Ebrahim Azizi, kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në parlamentin iranian.
Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) njoftoi se misioni “do të përfshijë shkatërrues me raketa, mbi 100 avionë tokësorë dhe detarë, platforma pa pilot në shumë fusha operimi e 15 mijë ushtarë”.
Por, njoftimi nuk sqaron si do të përdoren këto mjete. Duke cituar dy zyrtarë amerikanë, një gazetar nga Axios, tha se anijet e Marinës amerikane nuk do t’i shoqërojnë drejtpërdrejt ato tregtare, por do të qëndrojnë “në afërsi” për të ndërhyrë, nëse është e nevojshme, për të penguar sulmet.
Presidenti amerikan vuri në dukje se kjo masë po merret me kërkesë të vendeve, anijet e të cilave kanë mbetur të bllokuara në këtë kanal ujor, pasi Irani ka kufizuar pjesën më të madhe të trafikut, në përgjigje të sulmeve ajrore të SHBA-ve e të Izraelit, që nisën më 28 shkurt.
SHBA-të janë duke zbatuar edhe një bllokadë për të penguar hyrjen dhe daljen e anijeve nga portet iraniane.