Bota

Amerika vlerëson kryeparlamentarin aktual si lider të ri të Iranit!

Pas komenteve të Trump-it se marrëveshja me Iranin tani është e plotë dhe fundi i konfliktit është afër, duket se SHBA-të po vlerësojnë kryetarin e parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, si partner të mundshëm e madje, si udhëheqës të ardhshëm të vendit.

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, J.D. Vance dhe të dërguarit e presidentit Trump, Steve Witkoff e Jared Kushner, pritet të takohen me zyrtarë iranianë në Islamabad, që këtë javë.

Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 25-të dhe çmimet e naftës ranë ndjeshëm, pas komenteve qetësuese të Trump-it për Iranin. Presidenti amerikan njoftoi shtyrje të sulmeve kundër termocentraleve iraniane. Trump iu referua diskutimeve “shumë të mira” dhe “konstruktive” me Republikën Islamike, që synonin një “ndërprerje të plotë” të armiqësive, pavarësisht një mohimi nga agjencia iraniane e lajmeve Mehr. Gjithashtu, pohoi se ka një “ndryshim regjimi” në Iran.

Pas disa ditësh rritjesh, nafta e papërpunuar Brent ra me 9.71%, në 101.30 dollarë për fuçi rreth orës 14:35 GMT.  Ekuivalenti i saj amerikan, WTI, ra me një sasi të ngjashme (-8.96%, në 89.43 dollarë).

Drejtori i Adnoc, kompanisë kombëtare të naftës së Emirateve të Bashkuara Arabe, denoncoi sulmet iraniane në rajon dhe bëri thirrje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, arterie jetësore për stabilitetin e tregjeve të energjisë.

Militarizimi i Ngushticës së Hormuzit nuk është një akt agresioni kundër ndonjë vendi të veçantë. Është terrorizëm ekonomik kundër të gjitha vendeve. Nuk duhet të lejojmë asnjë vend ta mbajë peng Hormuzin, as tani dhe as në të ardhmen, tha Sultan Al Jaber.

Uashingtoni: Ndërprerjet e tregut të naftës janë “të përkohshme”.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright shtoi:

Çmimet ende nuk kanë arritur një nivel mjaftueshëm të lartë për të shkaktuar rënie të ndjeshme të kërkesës. Administrata Trump po ndërmerr “hapa pragmatikë” për të rritur furnizimin e disponueshëm.

Dje rreth orës 14:55 GMT, Indeksi Industrial Dow Jones u rrit me 2.22%, Indeksi i Përbërë Nasdaq u rrit me 2.16% dhe Indeksi më i gjerë S&P 500, u rrit me 2.02%.

Pasi ra me më shumë se 2% në mëngjes, bursa e Parisit u rrit me 2.18%, e Frankfurtit me 2.61% dhe e Londrës me 0.97%.

Kina njofton kufizime për rritjen e çmimeve të karburantit 

Kina njoftoi se do të kufizonte rritjen e çmimeve të karburantit në të gjithë vendin, për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët pas rritjes së çmimeve të naftës bruto, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

Greqia shpall subvencione për karburant dhe plehra kimike

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis njoftoi katër subvencione “të synuara” me një total prej 300 milion eurosh për karburant dhe plehra kimike, për të adresuar pasojat e luftës në Lindjen e Mesme.

Kriza energjetike, një “kërcënim i madh” për ekonominë globale

Asnjë vend nuk do të jetë imun ndaj efekteve të krizës energjetike, nëse vazhdon në këtë rrugë, tha Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, duke e përshkruar si “kërcënim të madh” për ekonominë globale. Të paktën 40 vende energjie janë “dëmtuar rëndë” në Lindjen e Mesme.

Indonezia po planifikon të arrijë deri në 80 trilion rupi (4.7 miliardë dollarë) kursime për t’u mbrojtur nga pasojat e luftës në Lindjen e Mesme.