Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ngrijnë të gjitha vendimet për azil ndërsa presidenti Donald Trump po ashpërson qëndrimin kundër emigrantëve. Kjo pasi një shtetas afgan qëlloi me armë zjarri dy anëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington, në mesjavë.
Sulmi ku një ushtare 20 vjeçe ndërroi jetë nga plagët e marra, nxiti një shtypje të re ndaj të huajve në SHBA, me Trump-in e zotuar se do të pezullojë emigrimin nga “vendet e botës së tretë”.
Joseph Edlow, drejtor i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Emigracionit në SHBA (USCIS), deklaroi:
Kemi ndalur të gjitha vendimet për azil derisa të sigurohemi që çdo i huaj të kontrollohet dhe verifikohet në nivelin më maksimal të mundshëm.
Ky vendim erdhi pas njoftimit të Trump-it mbi planet për të “pezulluar në mënyrë të përhershme emigrimin nga të gjitha vendet e botës së tretë, për të lejuar sistemin amerikan të rikuperohet plotësisht”.
I pyetur se cilat kombësi do të preken, Departamenti i Sigurisë Kombëtare i tregoi agjencisë AFP një listë me 19 vende, përfshirë Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin e Mianmarin që përballen me kufizime të udhëtimit në SHBA, që nga qershori.
Ndërkaq, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se SHBA-të kanë ndalur përkohësisht lëshimin e vizave për të gjithë individët që udhëtojnë me pasaporta afgane.
Amerika nuk ka asnjë prioritet më të lartë se mbrojtjen e vendit dhe njerëzve tanë.
Rahmanullah Lakanwal, 29 vjeç, i cili hapi zjarr ndaj pjesëtarëve të Gardës Kombëtare vetëm disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, ka qenë pjesë e një “force partnere” të mbështetur nga CIA e që luftonte talebanët në Afganistan. Në Shtetet e Bashkuara, ai hyri si pjesë e një programi të zhvendosjes pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Afganistani, në vitin 2021.
Jeanine Pirro, prokurorja amerikane për Uashingtonin, njoftoi se Lakanwal do të akuzohet për vrasje.
Sarah Beckstrom, anëtarja 20-vjeçare e Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore, e dislokuar në kryeqytetin amerikan si pjesë e asaj që Trump e quajti një goditje kundër krimit, vdiq nga plagët e marra.
Ushtari i dytë i plagosur, 24-vjeçari Andrew Wolfe po “lufton për jetën”, raportoi Pirro në programin Fox & Friends të Fox News.
Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, ka premtuar se do të kërkojë dënimin me vdekje ndaj Lakanwalit, duke e përshkruar si “përbindësh”.