Aktualitet

AMP ‘zbarkon’ në Sarandë e Ksamil, në ‘lupë’ efektivët e korruptuar!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetime lidhur me fenomenin e ndërtimeve pa leje në Sarandë dhe Ksamil.

Fokus i hetimeve është verifikimi i rolit dhe përgjegjësisë së efektivëve të policisë në lejimin apo mosparandalimin e këtyre ndërtimeve të paligjshme.Lëvizja e AMP vjen pas dy rasteve të evidentuara gjatë ditëve të fundit në zonë.

Në njërin rast, Prokuroria sekuestroi katin e një hoteli të ndërtuar pa leje, ndërsa në rastin tjetër, në një plazh të Ksamilit, u arrestuan 8 punëtorë që po kryenin punime të paligjshme.

Burime paraprake bëjnë me dije se hetimet do të përqendrohen edhe tek veprimet ose mosveprimet e strukturave policore përgjegjëse për kontrollin e territorit, për të verifikuar nëse ka pasur tolerim apo përfshirje në këto raste.

LEXO EDHE: Mori 20 mijë euro ryshfet për ekstradimin e një personi nga Turqia/ GJKKO dënon për shpërdorim detyre ish-gardistin, e pëson dhe motra e të arrestuarit!

Një ditë më parë, Policia e Sarandës goditi një rast ndërtimi të paligjshëm në plazhe, duke çuar në pranga 8 punëtorë që po kryenin punime. Ndërkohë, në kërkim u shpall pronarja e tokës në një hapësirë plazhi, në lagjen nr.1.

Sipas bluve, u njoftuan shërbimet e IKMT-së, IMT-së e Policisë Bashkiake, të cilët po vijojnë punën për prishjen e ndërtimeve.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve në terren, me prioritet zonat bregdetare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë konstatuan se në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre, në ujë) në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, kryheshin punime ndërtimi, të paligjshme.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasit:

K.R., 25 vjeç, E. S., 41 vjeç dhe O. C., 32 vjeç, të tre banues në Sarandë;

B.R., 48 vjeç, banues në Delvinë;

E.R., 41 vjeç, banues në Lushnjë;

O.B., 47 vjeç, banues në Tiranë;

E.K., 42 vjeç, banues në Lezhë;

Y.D., 33 vjeç, banues në Mat.

Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasja që posedon hapësirën e plazhit, A. B.., për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet. Punohet për kapjen e kësaj shtetaseje.

Shërbimet e Policisë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, kanë njoftuar shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat aktualisht po vijojnë me prishjen e ndërtimeve.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.