Live From Tirana Music

Andi Vrapi: “MUSE-X, një nga projektet më inovative në fushën e muzikës dhe artit në Shqipëri!”

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Andi Vrapi për të dhënë më shumë detaje në lidhje me Festivalin MUSE-X i cili do të zhvillohet në Sheshin Italia më 11-12-13 Prill. Andi ka shpjeguar me detaje se çfarë është ky festival dhe çfarë do të ndodhë përgjatë tre ditëve të eventit

Çfarë është Muse-X?

Muse-X është ekspo-festivali i parë në Ballkan i muzikës dhe arteve kreative. Bëhet për herë të parë në Ballkan dhe bëhet pikërisht në Tiranë. Është një nga projektet më inovative në fushën e muzikës dhe artit në Shqipëri dhe jo vetëm, sepse bëhen bashkë për herë të parë agjentë biznesi, menaxherë, përfaqësues të kompanive shumë të njohura, përfaqësues festivalesh shumë të njohur, organizatorë festivalesh dhe koncertesh. Pra janë të gjithë ato aktorë të fushës së muzikës dhe të arteve, që bëhen bashkë në një vend të vetëm. Kjo është një mundësi shumë e volitshme për të gjithë ata që janë të interesuar pas muzikës apo këtij profesioni, por dhe për dashamirësit e muzikës dhe artit, për të ardhur dhe për të shijuar një ambient që ne e kemi konceptuar shumë cool. Por nga ana tjetër, në orën 19:00 të darkës, të gjithë kemi mundësinë që atë lodhjen e gjatë gjithë ditës, ta çlirojmë me tre net festivalish të dedikuara të tre rrymave muzikore. Natën e parë, të premten do të jetë e dedikuar muzikës elektronike, natën e dytë do të jetë e dedikuar muzikës hip-hop dhe natën e tretë dedikuar muzikës Rock ’N’ Roll. Nuk do të ketë vetëm një artist por do të ketë disa artistë përgjatë këtyre netëve.