Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bëri thirrje që Kosova të mbështetet në synimet te saj për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme.
Kontributi i saj [Kosovës] për bashkëpunim rajonal e më të gjerë është i pamohueshëm e sërish vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht i zbrazët, vuri në dukje Begaj gjatë fjalimit të tij.
Kryetari i Shtetit u shpreh se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për anëtarësimin e saj në OKB e të tjera organizata ndërkombëtare “është akt drejtësie” dhe hap drejt konsolidimit të paqes në Ballkanin Perëndimor.
17 vjet pasi shpalli pavarësinë, Kosova ka dëshmuar përmes veprimeve të saj se është anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare, e përkushtuar ndaj paqes e stabilitetit, si dhe vlerave demokratike, me institucione të fuqishme.
Që nga koha kur shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008-ën, Kosova është njohur nga 119 shtete, shumica dërrmuese e tyre anëtare të OKB-së.
Për anëtarësim në OKB nevojitet rekomandim nga Këshilli i Sigurimit. Po ashtu, asnjëri prej 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit nuk duhet të përdorë veton dhe rekomandimi duhet të marrë votat e një shumice prej dy të tretash në Asamblenë e Përgjithshme.
Anëtarësimin e Kosovës në OKB e bën tejet të vështirë fakti se dy nga pesë anëtarët e përhershëm me të drejtë vetoje e që janë Kina e Rusia, nuk e njohin pavarësinë e saj, si dhe janë mbështetëse të Serbisë. Siç dihet, Beogradi zyrtar e lufton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare pasi vazhdon që ta cilësojë si pjesë të vetën.
Këtë qëndrim e përsëriti dje gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, i cili tha se Kosova është “pjesë e pandashme e Serbisë” dhe “shtylla kryesore e identitetit, kulturës e trashëgimisë shpirtërore” të Serbisë.
Ndërkohë, Begaj foli edhe në mbështetje të Ukrainës, në përpjekjet e saj për ta luftuar pushtimin nga Rusia.
Për gati 4 vjet, besueshmëria e organizatës sonë është vënë në provë nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.
Begaj dënoi shkeljet e Moskës ndaj Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, duke shprehur mbështetje për përpjekjet diplomatike që synojnë paqen.
Duke theksuar se Shqipëria është “më afër se kurrë” për të realizuar ëndrrën e saj të hershme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, presidenti deklaroi se synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 e të bëhet anëtare e plotë e bllokut deri më 2030-ën.
Këtë muaj, Shqipëria çeli edhe disa kapituj në bisedimet për anëtarësim në BE, duke e çuar në 28 nga 33 gjithsej numrin e kapitujve të hapur.