E konsideruar si një ndër anijet më të bukura në botë, “Amerigo Vespucci”, sot mbërriti në Durrës, ndalesa e parë e turit të saj mesdhetar. Mjeti lundrues i Marinës Ushtarake italiane u prit nga ambasadori Marco Alberti. Në bord do të mbajnë fjalët e nderit komandanti i anijes e kryeministri Edi Rama, përfaqësues nga ministritë e Mbrojtjes të të dyja vendeve, si edhe Marina Ushtarake Italiane e drejtuesi i RCS Sports&Events, Paolo Bellino.
Prezantimi i Bellino-s pritet të jetë nesër, në kuadër të aktivitetit sportiv Giro d’Italia 2025. Etapat e para të kësaj gare hapen nga Shqipëria, në datat 9, 10 dhe 11 maj, duke nisur me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Në anije është krijuar edhe një ambient i veçantë, ku do të ekspozohet Trofeu “Senza Fine” i eventit sportiv.
Gjatë ditës janë planifikuar takime dypalëshe mes ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe homologut italian, Guido Crosetto.
Në bordin e “Amerigo Vespucci”-t, prej korrikut 2023 kanë shkelur mbi 43 mijë e 300 persona për ta vizituar, ndërsa anija ka prekur brigjet e të gjithë kontinenteve. Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka ftuar qytetarët ta vizitojnë atë në datat 9–10 prill nga ora 14:00 deri më 20:30 të mbrëmjes.
E ndërtuar në vitet ’20 dhe duke mbajtur emrin e eksploruesit italian që zbuloi Amerikën, anija “Amerigo Vespucci” është kthyer në një shkollë lundruese për të edukuar breza të tërë oficerësh.