Aktualitet Politikë

Ankimimi i qeverisë për Ballukun, sot pritet vendim nga Kushtetuesja!

Gjykata Kushtetuese sot pritet të mblidhet, që të vendosë lidhur me ankimin e qeverisë. Ekzekutivi kundërshton pezullimin nga detyra të zv.kryeministres e njëherazi ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, si ndërhyrje e gjyqësorit në punën e qeverisë.

Një javë më parë, gjyqtarët kërkuan më shumë kohë për shqyrtim. Po ashtu, shumica socialiste ka kushtëzuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e Ballukut, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, ende ka mbetur pezull në sirtarët e Kuvendit. Mesditën e 28 janarit ishte parashikuar që të mblidhej Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK-ut, por Kuvendi njoftoi shtyrjen e mbledhjes pa afat.

Kjo lëvizje vjen ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim për rastin Balluku, pas shqyrtimit të ankimit të qeverisë.

Socialistët kërkojnë që vendimmarrja të merret duke vlerësuar edhe vendimin e Kushtetueses mbi këtë rast. Gjykata u mblodh javën e kaluar, por nuk doli dot me një vendimmarrje, duke argumentuar se i duhet më shumë kohë.