Aktualitet

Antonio Costa: Inkurajuese të shohim progresin e bërë nga Shqipëria!

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave dhe e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Europian si një prioritet të qartë strategjik për paqen, begatinë e stabilitetin e kontinentit. Ai theksoi se hapja e një grupkapitulli tjetër është një hap i rëndësishëm dhe se ambicia është që të çelen më shumë grupe kapitujsh gjatë këtij viti.

Dua që Shqipëria të vazhdojë me këtë ritëm dhe të përmbushë objektivat e kalendarit të saj ambicioz. Ky është një hap i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, pasi anëtarësimi në Bashkimin Europian është mënyra më e mirë për të garantuar paqen dhe stabilitetin, u shpreh Costa.

Po ashtu, zyrtari i lartë europian njoftoi se do të vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor në mes të muajit të ardhshëm, siç dhe u shpreh, “për të intensifikuar përpjekjet për anëtarësimin e këtyre vendeve e për të diskutuar përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet në Tiranë më 16 maj”.

Ndër të tjera, presidenti Costa vuri në dukje edhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, për të arritur rezultate pozitive në procesin e anëtarësimit.

Bashkë, të bashkuar, jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Europë më të fortë, u shpreh Costa, duke nënvizuar domosdoshmërinë e unitetit për të përballuar sfidat e përbashkëta.

Samiti i Komunitetit Politik Europian që do të mbahet në Tiranë më 16 maj, pritet që të ofrojë një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar në lidhje me progresin e integrimit të Shqipërisë, si dhe për të forcuar lidhjet mes vendeve të rajonit e Bashkimit Europian.

Në përfundim të takimit, bashkë me kryeministrin Rama shprehën angazhimin e tyre për të vijuar përpjekjet për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe për të kontribuar në forcimin e stabilitetit e zhvillimit në rajon.