Kryeministri Edi Rama kryeson Shqipërinë në çeljen e grupkapitullit të dytë të negociatave me Bashkimin Europian. Në një deklaratë për media, në krah të Presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi:
Jam i lumtur të jem këtu me Presidentin e Këshillit Europian, i cili me mençurinë dhe angazhimin e tij ndaj vendeve të rajonit është një aleat i çmuar për ne.
Kryeministri vlerësoi hapjen e një grupkapitulli tjetër në kuadër të negociatave dhe shtoi se ky është një hap i rëndësishëm për përmbushjen e detyrave të kalendarit ambicioz të Shqipërisë, me synimin për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027.
Samitin e Komunitetit Politik Europian që do të zhvillohet më 16 maj në Tiranë, e cilësoi “mundësi të shkëlqyer për të forcuar angazhimin e Shqipërisë dhe rajonit në rrugën drejt integrimit europian”.
Kjo është një ditë shumë e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapitull tjetër. Presidentit i jam mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë për përparimin në këtë proces dhe më pas për Samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Europian, që është eveniment i rëndësishëm në tërësi, por ka rëndësi të posaçme në këtë moment. Do të flasim edhe për rajonin ndaj të cilit presidenti është veçanërisht i përkushtuar.
Në përgjithësi jam i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të përmbyllur negociatat brenda 2027-ës.
Mbahet sot Konferenca e Katërt e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Njoftimi u bë i ditur nga Këshilli Europian, sipas të cilit, në konferencën ndërqeveritare do të diskutohen proceset radhës për integrimin e Shqipërisë në BE. Konferenca Ndërqeveritare me BE-në mbahet në Luksemburg në orën 18:00, e ndjekur nga një konferencë për shtyp rreth orës 19:15/19:30).
Sipas njoftimit, mësohet se takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Clusterin 2 “Tregu i brendshëm”, duke përfshirë kapitujt 1 (lëvizja e lirë e mallrave), 2 (liria e lëvizjes së punëtorëve), 3 (e drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime), 4 (lëvizja e lirë e kapitalit), 6 (e drejta e kompanive), 7 (ligji i pronësisë intelektuale), 8 (ligji për mbrojtjen e konkurencës dhe shërbimet e shumës).