Aktualitet

Apeli i GJKKO-së lë në fuqi sekuestrimin e llogarive bankare të Ajola Xoxës!

Apeli i GJKKO-së, sot la në fuqi sekuestrimin e llogarive bankare të Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi u mor nga gjyqtari i Posaçëm, Engert Pëllumbi, i cili po sot la në fuqi arrestin me burg për Veliajn duke mos i pranuar kërkesën për ta liruar kundrejt garancive pasurore.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 11, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.X., Shoqëria Tregtare “***” sh.p.k., Shoqëria “***” sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 98 Akti, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi llogaritë bankare”, dhe vendosi:

• Miratimin e vendimit nr. 98 Akti, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

• Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj është duke u hetuar nën masën detyrim për paraqitje dhe dyshohet se ka marrë përfitime të paligjshme nga fondet e bashkisë apo kompani kontraktore, për të cilat ka dyshime se u pastruan nëpërmjet një rrjeti OJF-sh. Llogaritë bankare që iu sekuestruan Ajola Xoxës kapin shifrën e mbi 800 mijë eurove.