Live From Tirana

Ardit Roshi: “Ngrihuni protestoni”

E nisëm Live From Tirana sot me një diskutim të ndjeshëm rreth vrasjes së 25-vjeçarit në Tiranë nga një efektiv i policisë, ngjarje që nxiti debate të shumta sidomos në rrjetet sociale.

Ka patur deklarata të panumërta edhe nga vip-at shqiptarë të cilët kritikojnë mos-reagimet e qytetarëve rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, e kundërta që ndodhi kur në SHBA u vra barbarisht George Floyd. Asokohe, postimet vluan në rrjetet sociale në të gjithë botën po ashtu në Shqipëri ku njerëzit u solidarizuan me ngjarjen e rëndë.

Po këtë herë shqiptarët përse nuk reaguan për situatën e ndodhur në vendin e tyre? Kjo ishte dhe një ndër pyetjet që u ngrit nga personazhet e famshëm, duke i kërkuar qytetarëve të thyejnë heshtjen. Me ne sot ishte në një lidhje telefonike moderatori Ardit Roshi i cili tha se mos-reagimi i njerëzve e ka irrituar shumë.

“Ne jemi një popull reagimi dhe jo veprimi. Këtë herë as nuk reaguam. Ne duhet të ngrihemi dhe të protestojmë dhe të kërkojmë llogari dhe të shtrojmë pyetje të shumta si ndodhi ngjarja, përse ndodhi ngjarja dhe si do të zbardhet e vërteta për tu vendosur drejtësia.” -tha Arditi.

Ai shtoi se do t’i bashkohet protestës së sotme në Tiranë në orën 16:00 dhe fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e saj dhe të kuptojnë rëndësinë që kanë kryengritje të tilla.