Aktualitet

Arrestohet në Kakavijë 17-vjeçari i akuzuar se abuzoi seksualisht me një 10 vjeçar!

Kapet 17 vjeçari në kërkim, i akuzuar se abuzoi seksualisht me një 10-vjeçar, i gjetur në rrugë nga kalimtarët, në Gjirokastër. Dyshohet se ngjarja ndodhi në prani të dy fëmijëve të tjerë 9 e 10 vjeç, që u morën në pyetje në përputhje me procedurat ligjore. U arrestua në pikëkalimin e Kakavijës, në hyrje të territorit shqiptar.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër:

-ndaluan një 17-vjeçar, i cili ishte i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ky shtetas në prani të 2 shtetasve të tjerë të mitur, të moshave 9 dhe 10 vjeç, dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një 10-vjeçar. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Kakavijë, në hyrje të RSH-së.

Po ashtu, Policia Gjirokastër informon për dy procedime penale:

U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin O.C., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se nën efektin e alkoolit, theu xhamin e një lokali të marr me qira nga vëllai i tij, shtetasi E.C.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V.M., 20 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur “NSHN”, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë u përplas me makinën me drejtuese shtetasen K.G., 21 vjeçe, banuese në Gjirokastër. Nga aksidenti u dëmtua lehtë e reja.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.