Sport

Asambleja e përgjithshme e KOKSH, pas FSHF edhe FSHSSH nuk do të marrë pjesë

Asambleja e Përgjithshme e KOKSH-it, që do të mbahet me 23 prill, është kthyer në një çështje në sportin shqiptar. Shkak është bërë vendimi i CAS pas gjyqit që nisi FSHF, për të mos njohur asamblenë e 2021 që i hapi rrugë zgjedhjet së Fidel Yllit, por që vetë KOKSH, e rregjistroi si të rregullt pasi Gjykata e Apelit i dha të drejtë.

LEXO EDHE: FSHF vendosi të mos marrë pjesë në Asamblenë e KOKSH, Federata Shqiptare e Sportit Universitar: Mbështesim këtë qëndrim!
Fillimisht ishte FSHF që njoftoi se nuk do të marrë pjesë, pasi KOKSH i ka mohuar ngritjen e çështjes së gjyqit gjatë asamblesë. Një kërkesë që sipas FSHF-së ka të drejtë ta bëjë çdo anëtar.

Pas FSHF-së, edhe Federata Shqiptare e Sportit Shkollor ka dalë publikisht kundër pjesmarrjes në këtë asamble. Sekretari i përgjithshëm i kësaj federate Viktor Gjoni, ka shpërndarë një deklaratë për mediat ku shkruan:

“Deklaratë e Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor (FSSSh)

Federata Shqiptare e Sportit Shkollor shpreh mbështetjen e saj ndaj vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për të mos marrë pjesë në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme të KOKSH, më 23 prill 2025.

Refuzimi i KOKSH për të përfshirë në rendin e ditës një kërkesë legjitime të një anëtari si FSHF, është një goditje për transparencën, barazinë dhe frymën olimpike. Kjo sjellje përjashtuese dëmton jo vetëm një federatë, por vetë thelbin e demokracisë brenda një organizate ku të gjithë anëtarët duhet të dëgjohen.”
Pikënisja e përplasjeve mes federatave dhe KOKSH, është krijimi i CAS-it shqiptar nga Komiteti Olimpik, por që nuk ka gjetur marrëveshjen me disa federata.

Edhe Federata Shqiptare e Sportit Universitar (FSHSU), si anëtare me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), shpreh mbështetje të plotë ndaj qëndrimit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të mos marrë pjesë në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme të KOKSH, që do të zhvillohet më 23 prill 2025.