Filmi “The Housemaid” ka kaluar shifrën mbresëlënëse prej mbi 300 milionë dollarësh në arkëtimet globale, duke shënuar një sukses të jashtëzakonshëm për një projekt me buxhet të mesëm në industrinë e filmit.
Deri tani, trilleri psikologjik me protagonistë Sydney Sweeney dhe Amanda Seyfried ka fituar rreth 116 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa jashtë vendit ka arkëtuar plot 189.1 milionë dollarë, duke e çuar totalin botëror në 305 milionë dollarë.
Filmi është i klasifikuar R, që do të thotë se nuk rekomandohet për shikues nën moshën 18 vjeç pa shoqërimin e një të rrituri.
Studioja Lionsgate investoi vetëm 35 milionë dollarë për realizimin e filmit, çka e bën këtë sukses edhe më të rëndësishëm nga ana financiare.
“The Housemaid” pati një hapje modeste para Krishtlindjeve, me rreth 19 milionë dollarë në Amerikën e Veriut, por vijoi të rritej ndjeshëm gjatë javëve në vazhdim, falë kritikave pozitive dhe rekomandimeve gojë më gojë.
Fundjavën e kaluar, filmi renditej në vendin e parë në disa tregje ndërkombëtare, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Meksikën, Brazilin dhe Spanjën, një arritje e rrallë për një film që kishte dalë në kinema prej gati një muaji në ato vende.
Ndër territoret me fitimet më të larta spikasin Britania e Madhe me 36.4 milionë dollarë, Franca me 33.4 milionë, Australia dhe Zelanda e Re me 15.3 milionë, si dhe Spanja me 12.5 milionë dollarë.
Me regji nga Paul Feig dhe bazuar në romanin bestseller të autores Freida McFadden, filmi ndjek historinë e një gruaje të re me një të kaluar misterioze, e cila punësohet si shërbëtore në shtëpinë e një familjeje shumë të pasur.
Amanda Seyfried dhe Brandon Sklenar interpretojnë një çift që duket se ka një jetë perfekte, por që fsheh sekrete të errëta.
Duke pasur parasysh suksesin e madh të filmit dhe faktin se McFadden ka shkruar dy vazhdime të historisë, një pjesë e dytë me titull “The Housemaid’s Secret” është tashmë në zhvillim. Sydney Sweeney, Paul Feig dhe aktori Michele Morrone pritet të rikthehen në projekt.
Ky sukses e bën “The Housemaid” filmin më fitimprurës të karrierës së Sweeney-t si protagoniste, duke tejkaluar komedinë romantike të vitit 2023 “Anyone But You”, e cila arkëtoi 220.2 milionë dollarë.
Filmi erdhi menjëherë pas dështimit të “Christy”, dramës biografike të publikuar në nëntor, ku Sweeney interpretonte boksieren pioniere Christy Martin. Ai film, gjithashtu me vlerësim R, fitoi vetëm 1.9 milionë dollarë në kinema.