Sydney Sweeney ka ngritur temperaturat në rrjet me atë që po cilësohet si paraqitja e saj më provokuese deri më sot.
Aktorja 28-vjeçare shfaqet plotësisht nudo, e mbuluar vetëm me bojë trupi në ngjyrë ari, në një set fotografik mbresëlënës për kopertinën e numrit më të fundit të W Magazine.
Me një estetikë dramatike dhe luksoze, Sweeney duket se i referohet drejtpërdrejt skenës ikonike të filmit Goldfinger (1964), ku personazhi Jill Masterson, i interpretuar nga Shirley Eaton, mbulohet me ar.
Në këtë version modern dhe sensual, aktorja sfidon kufijtë e imagjinatës duke u shfaqur në poza artistike, ku mbulon trupin me duar ndërsa gjunjëzohet mbi një divan prej kadifeje.
E gjithë pamja është ndërtuar mbi një fantazi monokromatike: lëkura e artë shkëlqen në harmoni me manikyrin metalik, ndërsa flokët biondë të prerë shkurt janë stiluar me një ndarje dramatike anësore.
Në një tjetër foto, ajo shtrihet përgjatë divanit, duke theksuar një gjerdan masiv në qafë dhe linjat e saj trupore, në një kompozim që rrit edhe më shumë dozën e sensualitetit.
Përveç fotosesionit, Sydney ka dhënë edhe një intervistë të rrallë dhe shumë personale për revistën, ku ka folur hapur për jetën, famën dhe rrugëtimin e saj të shpejtë në industrinë e filmit.
E pyetur për “shenjat” që mban me vete, ajo përmendi pa hezitim disa plagë fizike nga një fëmijëri plot adrenalinë.
Aktorja tregoi se mban një shenjë pranë syrit nga një aksident në moshën 10-vjeçare gjatë wakeboarding, që i kërkoi 17 qepje, si edhe një dëmtim në gju nga dirt-bike, që la një shenjë të përhershme.
Ajo përmendi edhe një keloid misterioz, pasojë e një pickimi të pashpjegueshëm gjatë xhirimeve të filmit Eden në Australi.
Sweeney pranoi se edhe sot frika nuk e ndalon:
Ka shumë gjëra që më trembin, por kjo nuk më pengon. Përkundrazi, më shtyn t’i bëj
-tha ajo, duke përmendur edhe hedhjen me parashutë, pavarësisht frikës nga lartësitë.
Në intervistë, ajo foli edhe për gafat e stilit në rini, duke zbuluar se dikur vishte atlete Converse me taka të fshehura, në përpjekje për t’u dukur më e gjatë, pasi është vetëm 1.60 m e gjatë.
Ishin një zgjedhje… interesante. Më fal, Converse, por nuk ishin aspak ‘it’
-tha ajo me humor.
Familja mbetet pika e saj më e fortë e mbështetjes, veçanërisht vëllai i vogël, i cili shërben në Forcat Ajrore dhe ndodhet jashtë Londrës.
Sydney tregoi se nuk e di kurrë nëse do të mund ta shohë për festa, por përpiqet gjithmonë ta vizitojë kur udhëton për punë.
Aktorja foli edhe për transformimin e saj të fundit profesional, ku për një rol si boksierja Christy Martin shtoi rreth 13 kilogramë.
Edhe pse është mësuar të ndahet emocionalisht nga personazhet, ndryshimet fizike e bënë këtë proces më të vështirë.
Përtej aktrimit, Sydney Sweeney po konsolidohet gjithnjë e më shumë edhe si producente, duke qenë thellësisht e përfshirë në adaptimin e filmit The Housemaid.
Ajo tregoi se e lexoi librin për një natë dhe e ndoqi projektin me këmbëngulje, në bashkëpunim me Lionsgate.
Në fund, nuk i kurseu fjalët e mira për kolegen Amanda Seyfried, për të cilën u shpreh:
Ajo është shpirti im binjak. Më ka ndihmuar të ndihem më rehat duke qenë thjesht vetvetja.
Me këtë paraqitje dhe rrëfim të sinqertë, Sydney Sweeney dëshmon edhe një herë se di si të tronditë, të intrigojë dhe të mbetet në qendër të vëmendjes.