Film & Tv Gossip

Me buxhet modest, por sukses gjigant! Ky film triller po thyen arkën e kinemave në mbarë botën?

Filmi triller psikologjik “The Maid” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në kinematë botërore, duke kaluar shifrën e 200 milionë dollarëve në shitjet globale të biletave vetëm pak javë pas publikimit.

Produksioni, ku rolet kryesore interpretohen nga Sydney Sweeney dhe Amanda Seyfried, ka arritur të grumbullojë rreth 100 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe po aq në tregjet ndërkombëtare pas vetëm katër fundjavave në kinema.

Një rezultat edhe më mbresëlënës, duke pasur parasysh se Lionsgate ka shpenzuar vetëm 35 milionë dollarë për realizimin e filmit.

I titulluar gjithashtu “The Housemaid”, filmi u shfaq për herë të parë më 19 dhjetor dhe debutoi me 19 milionë dollarë në Amerikën e Veriut, duke treguar që në fillim potencialin e tij të fortë komercial.

Për shkak të përmbajtjes së tij të errët dhe tensionit psikologjik, filmi nuk rekomandohet për persona nën 18 vjeç pa shoqërimin e një prindi ose kujdestari.

Sipas Variety, falë reagimeve pozitive dhe rekomandimeve të forta nga publiku, “The Maid” pritet ta mbyllë ciklin e shfaqjeve në kinema me një arkëtim total prej 225 deri në 275 milionë dollarësh në rang global. Ky sukses konsiderohet i rrallë në një periudhë sfiduese për filmat me buxhet të mesëm.

Me regji të Paul Feig dhe i bazuar në romanin bestseller të autores Freida McFadden, filmi ndjek historinë e një gruaje të re me një të kaluar të trazuar, e interpretuar nga Sydney Sweeney, e cila punësohet si shërbëtore në shtëpinë e një familjeje të pasur.

Amanda Seyfried dhe Brandon Sklenar luajnë çiftin misterioz, i cili fsheh sekrete të errëta pas një fasade perfekte.

“The Maid” po dëshmon se një histori e fortë dhe tensioni psikologjik mund të mjaftojnë për ta kthyer një film në fenomen global.