Bota

Asnjë përparim në bisedimet Moskë-Kiev, çmimet e naftës rriten përsëri!

Çmimet e naftës rriten sërish, pasi bisedimet Rusi-Ukrainë duket se nuk po japin asnjë shenjë përparimi dhe tregjet vazhdojnë të shqetësohen për furnizimet. Kësaj i shtohet thirrja nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë për të ulur kërkesën për naftë. Nafta bruto u rrit me më shumë se 3% sot në mëngjes. Nafta e papërpunuar Brent u rrit 3.8%, në 111.96 dollarë për fuçi.

Nafta e papërpunuar e lehtë ishte 4% më e lartë, në 108.90 dollarë në tregtimin elektronik, në bursën tregtare të Nju Jorkut. Çmimet e naftës kanë qenë të paqëndrueshme në javët e fundit, duke u ngjitur në nivele rekord në mars përpara se të bien me më shumë se 20% javën e kaluar për të arritur nën 100 dollarë. Ato ndryshuan sërish në gjysmën e dytë të javës së kaluar për t’u ngritur mbi nivelin 100 dollarë për fuçi.

Në një plan prej 10 pikash, sugjerimet e Agjencisë për të reduktuar kërkesën për naftë përfshinin reduktimin e kufijve të shpejtësisë për automjetet, punën nga shtëpia deri në tre ditë në javë dhe shmangien e udhëtimeve ajrore për biznes.

Ne vlerësojmë se zbatimi i plotë i këtyre masave vetëm në ekonomitë e përparuara mund të ulë kërkesën për naftë me 2.7 milion fuçi në ditë brenda katër muajve të ardhshëm, në krahasim me nivelet aktuale.

Analistët thonë se rritja erdhi edhe për shkak se rebelët Houthi shënjestruan pika të ndryshme të naftës dhe gazit të kompanisë saudite “Aramco” në të gjithë Mbretërinë, gjatë fundjavës. Një pjesë e prodhimit u ndërpre përkohësisht duke nxitur shqetësime në një treg tashmë të trazuar.

Ndërkaq, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka publikuar së fundmi raportin e marsit për tregjet e naftës ku theksohet se “rritja e çmimeve të mallrave dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura kundër Rusisë do të frenojnë ndjeshëm rritjen ekonomike globale”.

Perspektiva e bllokimit në shkallë të gjerë të prodhimit rus të naftës po rrezikon të shkaktojë një tronditje globale të furnizimit me naftë.

Zyrtarët ukrainas dhe rusë janë takuar me ndërprerje për bisedimet e paqes, të cilat deri më tani nuk kanë arritur të përparojnë drejt lëshimeve kryesore.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy ka bërë thirrje për një raund tjetër bisedimesh me Moskën.

Nëse këto përpjekje dështojnë do të thotë se kjo është një Luftë e Tretë Botërore!

Bordi i Transparencës rimblidhet sot për naftën, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të ndryshimeve të mundshme në tregje. Në mbledhjen e kaluar u vendos që deri më 21 mars, nafta të tregtohet me 203 lekë litri sa i përket shitjes me pakicë.