Aktualitet

Atentati në Shkodër, rëndohet në 2 bilanci i viktimave/Arrestohet autori i dyshuar!

Dy persona mbetën të vrarë dhe dy të plagosur në atentatin e sotëm në Shkodër, në një lokal pranë bashkisë. Ngjarja kriminale që tronditi qytetin verior në mëngjes, i mori jetën Liridon Krajës, 31 vjeç, i cili gjeti vdekjen në spital dhe shtetasit Armando Pali.

U plagosën Erogen Vaso i njohur ndryshe si Erogen Brajoviç, njëherazi shënjestër e atentatit dhe një kamariere 25 vjeçe. Kraja punonte si shoqërues i Vasos, i cili gjendej në lokal me mikun e tij Pali.  Të dy kanë qenë anëtarë të Këshillit Bashkiak të Shkodrës nën logon e PBDNJ-së. Armando Pali rezulton edhe ish-punonjës i IMT-së, po në Shkodër.

Një person ra në pranga për atentatin. Dyshohet se ai ka qenë autori i vrasjes. Në momentin kur qëlloi drejt lokalit ishte me një motor. Më pas ka arritur që të largohet me një automjet tip BMW, ngjyrë gri, por pa mundur të shkojë larg pasi bëri aksident në dalje të qytetit. Për shkak se u aksidentua te vendi i njohur si “Ura e trenit”, tentoi t’i ikë policisë në pjesën e lumit Kir e nuk ia doli.

Në pranga ra shtetasi Ragip Gila, i cili rezulton me precedentë penalë.

Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt.  Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale.

Në vitin 2023, u përmend në një dosje të SPAK-ut si pjesë e grupit të Bajrave. Në atë kohë u lëshuan 14 masa sigurimi për akuzat vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.