Aktualitet

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci për atentatin me 2 viktima: Ngjarje që duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër!

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci reagoi për masakrën me dy të vrarë dhe dy të plagosur, sot në një lokal pranë bashkisë. Beci shprehet se ngjarja kriminale duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër të ligjit, ndërsa shton se ka kontaktuar me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha dhe strukturat e tjera kundër krimit.

Të dashur qytetarë,

Ky mëngjes për Shkodrën nuk ishte ai i zakonshmi, siç ndodh çdo ditë në qytetin tonë. Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit.

Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla, shkruan kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

Shënjestër e atentatit të përgjakshëm ku mbeti e plagosur edhe një kamariere krahas Erogen Vasos, i njohur ndryshe si Erogen Brajoviç, duket se ishte ky i fundit. 43 vjeçari është anëtar i grupit të Bajrave dhe vëllai i Denis Bajrit, i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt.  Miku i Brajoviçit, Armando Pali gjeti vdekjen e menjëhershme. Liridon Kraja (Lushi), 31-vjeç truprojë e të shënjestruarit, ndërroi jetë në spital.

Denis Bajri u ekstradua në korrik nga Dubai. Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale. Në vitin 2023, u përmend në një dosje të SPAK-ut si pjesë e grupit të Bajrave. Në atë kohë u lëshuan 14 masa sigurimi për akuzat vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre e nxjerrje të sekretit hetimor.

Policia arrestoi autorin e dyshuar, Ragip Gila, 29 vjeç. Në përpjekje për t’u larguar bëri aksident në dalje të qytetit të Shkodrës, duke tërhequr vëmendjen e uniformave blu. Fillimisht ka qenë me motor të zi dhe u largua me një BMW ngjyrë gri, makinë me të cilën u përfshi në aksident.

Me armë zjarri me vete, tentoi largimin në këmbë, por pa sukses. Mësohet se Gila kishte dalë nga burgu dhe qe arrestuar në dhjetor të vitit 2023 për armëmbajtje pa leje. Në atë kohë, policia njoftonte:

Në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi fals”, kanë ndërhyrë në banesën e 26-vjeçarit R.G., ku kanë gjetur dhe sekuestruar 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.”, njoftoi policia asokohe për arrestimin e të riut.