Tech

Australia me “dorë të hekurt”, teston teknologji për të parandaluar aksesin e adoleshentëve në median sociale!

Australia po përgatitet të testojë teknologji të ndryshme për të parandaluar aksesin në median sociale nga fëmijët nën 16 vjeç dhe në përmbajtje pornografike nga fëmijët nën 18 vjeç. Masat janë pjesë e një strategjie më të gjerë që synon përmirësimin e sigurisë në web. Në detaje, projekti do të eksplorojë tre mënyra të ndryshme për të garantuar moshën e përdoruesve, duke balancuar saktësinë, besueshmërinë dhe respektimin e privatësisë, me objektivin përfundimtar të përcaktimit të një standardi rregullator që do të miratohet në të ardhmen për të rregulluar aksesin në rrjetet sociale nga të miturit.

Teknologjia e parë në shqyrtim është verifikimi i thjeshtë i moshës përmes kredencialeve, të tilla si një ID ose pasaportë digjitale. Kjo zgjedhje përfaqëson metodën më të menjëhershme, por mund të anashkalohet nëse një i mitur përdor dokumente të palëve të treta. Propozimi i dytë bazohet në analizën e karakteristikave biologjike dhe të sjelljes, si studimi i tipareve të fytyrës dhe timbrit vokal, falë ndihmës së ofruar nga Inteligjenca Artificiale. Megjithatë, saktësia e këtyre mjeteve është e kufizuar dhe eksperimentet e mëparshme tregojnë një marzh mesatar gabimi prej 3 vjetësh e 8 muajsh, me vetëm përafrime pak më të mira tek adoleshentët.

Ekziston një mënyrë e tretë, e përcaktuar si “konkluzion”, e cila bazohet në analizën e të dhënave dhe rrethanave të jetës së përdoruesit, si prania e një llogarie bankare, një karte krediti ose një email qeveritar. Megjithatë, kjo metodë rrezikon të përjashtojë të rinjtë në moshë madhore që nuk kanë një llogari personale ose një adresë emaili të verifikuar. Verifikimi i kredencialeve, pavarësisht se është metoda më e fuqishme, kërkon kontrolle të rrepta për të shmangur abuzimin, ndërsa sistemet e vlerësimit dhe konkluzionit përballen me probleme të saktësisë dhe përfshirjes.

Australia miratoi një ndalim unik në botë, përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16-vjeçare, duke ngjallur reagime të përziera nga qytetarët dhe kompanitë teknologjike. Ky ligj, i cili parashikon gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë për platformat që nuk zbatojnë rregullin, do të hyjë në fuqi pas një periudhe prove që fillon në janar. Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka theksuar se qëllimi i masës është mbrojtja e shëndetit fizik dhe mendor të fëmijëve, duke e cilësuar si një prioritet për kompanitë teknologjike.

Një zëdhënës i TikTok, jashtëzakonisht popullor mes adoleshentëve, tha se i gjithë procesi ka qenë tepër i shpejtuar dhe mendon se ekziston rreziku që fëmijët të vendosen në rrezik edhe më të madh. “Jemi të zhgënjyer që qeveria australiane ka injoruar këshillat e shumë ekspertëve për shëndetin mendor të të rinjve, ekspertëve për sigurinë në përdorimin e internetit, si dhe ekspertëve që përfaqësojnë të rinjtë dhe që janë kundër kësaj ndalese”-tha ai.