Aktualitet Rajoni

Bahamas, shteti më i ri që njohu Kosovën! Begaj: Mirënjohës!

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me lajmin që Bahamas është shteti më i ri që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një postim në “X”, Begaj shkruan se ky vendim është një kontribut domethënës për paqen e stabilitetin në rajon.

“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Bahamas për njohjen e Kosovës, një kontribut domethënës për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë” shkruan kreu i shtetit.

Sa shtete e njohin Kosovën?
Njohja nga Bahamas është e katërta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, si dhe Siria nga Lindja e Mesme e njohën atë.

LEXO EDHE: “Trump nuk do që ta shohë më Vuçiçin me sy”, analisti serb: Prova ishte tërheqja e Kushnerit

Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

Këto njohje rishtazi e kanë zemëruar Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e Kosovës, pasi vazhdon ta cilësojë atë si pjesë të veten.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi vitin 2025 si “viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë”, teksa shprehu mirënjohje “të veçantë” për presidenten Osmani.

“Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas”, shtoi ai.