“Kuvendi nuk është pronë e një partie të vetme, por një institucion ku maxhoranca dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të garantuar interesin publik”. Në një deklaratë, kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi, theksoi rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit mes maxhorancës e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai vuri në dukje se mënyra si është organizuar Kuvendi dhe komisionet parlamentare, nuk respekton parimet e një demokracie funksionale dhe minon rolin e opozitës në procesin parlamentar.
Informimi i opinionit publik mbi mënyrën e organizimit të punës së Kuvendit duhet të jetë proces i përbashkët dhe i koordinuar, duke reflektuar bashkëpunimin e konsensusin mes të gjitha forcave politike, jo vetëm vendimet e një partie. Fakti që u prezantua ndryshe në Asamblenë e Partisë Socialiste dhe fakti që sot u krye caktimi i kryetarëve e zv.kryetarëve, përfaqësues të grupit parlamentar të PS-së, tregon edhe një herë frymën autoritare që Rama ka instaluar në Republikën e Shqipërisë. Për ne, kjo është e papranueshme, theksoi Bardhi.
Pjesë nga deklarata:
Dua të informoj opinionin publik mbi çështjet e diskutuara dhe qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në këtë mbledhje. Së pari, i kemi bërë me dije zotit Peleshi dhe kryetarit të grupit parlamentar të maxhorancës se për opozitën është e papranueshme që në Asamblenë e PS-së të njoftohet opinioni publik mbi organizimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Kuvendi dhe komisionet parlamentare të tij janë mekanizma pune të përbashkëta të maxhorancës e opozitës dhe si në çdo vend demokratik, organizimi i punës së Kuvendit do të duhej të ishte i përbashkët i maxhorancës dhe opozitës.
Fakti që u prezantua ndryshe në Asamblenë e Partisë Socialiste e fakti që sot u krye caktimi i kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve, përfaqësues të grupit parlamentar të PS-së, tregon edhe një herë frymën autoritare që Rama ka instaluar në Republikën e Shqipërisë. Për ne, kjo është e papranueshme.
Së dyti, kemi sqaruar se me veprimin e shkrirjes së Komisionit të Integrimit Europian, praktikisht mekanizmi që ishte në dorë të opozitës për të luajtur rolin e saj konsultiv dhe për të dhënë konsensus në gjithçka që lidhej me procesin e integrimit, në këtë moment zerohet, sepse ky komision u bashkua me Komisionin e Jashtëm dhe pas 21 vitesh, opozita nuk do të ketë më të drejtën e këtij procesi në Kuvendin e Shqipërisë.
Na u soll si argument se kemi marrë si shembull një model gjerman. Cilido që njeh organizimin e komisioneve në Bundestag e di se atje ka edhe komision të Jashtëm, edhe komision të Çështjeve Europiane.
Grupi parlamentar i PD-së i ka kërkuar institucioneve të Kuvendit të bëjë një studim si janë organizuar komisionet parlamentare në të gjitha vendet e rajonit, pak a shumë në të njëjtin hap me ne në procesin e integrimit në BE apo në disa prej vendeve anëtare të BE-së.