Në një takim konsultues, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka mbledhur drejtuesit e grupeve parlamentare të partive politike për formimin e organeve të reja të parlamentit. Në fokus të diskutimeve, përzgjedhja e anëtarëve të delegacioneve, Byrosë së Kuvendit dhe Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren.
Peleshi iu prezantoi palëve edhe një draft për ndryshimin e shpejtë të Rregullores së Kuvendit, që t’i hapë rrugë rikonceptimit të komisioneve parlamentare sipas modelit të propozuar nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, kur zbuloi kabinetin e ri qeveritar.
Mësohet se Gazment Bardhi ka kundërshtuar skemën e propozuar nga Rama. Opozita nuk ka dhënë emra për kryetarët e komisioneve dhe organet e Kuvendit, por pritet që nesër t’i vendosë nëpër poste, pavarësisht kundërshtimit mbi arkitekturën e komisioneve. PD-ja protestoi lidhur me heqjen e Komisionit të Integrimit dhe pretendon se në fakt nuk i janë dhënë 4 komisione, por një komision që opozita e ka mbajtur (Media dhe Edukimi) është ndarë në tre pjesë dhe i janë shpërndarë opozitës.
Krahas komisioneve të përhershme, gjithashtu PS-ja ka caktuar drejtuesit për dy reforma që priten në vijim në këtë sesion parlamentar: për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri; për Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku.
Zëdhënëse e grupit parlamentar të PS-së është zgjedhur deputetja Erjona Ismajli.
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS-së DHE EMRAT E KRYETARËVE:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të drejtohet nga Milva Ekonomi
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike do të drejtohet nga Ulsi Manja
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes do të drejtohet nga Bledi Çuçi
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm do të drejtohet Anila Denaj
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural do të drejtohet Blendi Klosi
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme do të drejtohet nga Igli Hasani
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj
KOMISIONET QË JANË NËN DREJTIMIN E PD-së:
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën