Por për Opozitën, aksioni policor në Shkodër nuk është gjë tjetër, veçse propagandë e Qeverisë. Deputetët e saj nuk janë as sot në seancën e Kuvendit, por në Elbasan, për një tryezë diskutimi, sërish mbi çështjet e kriminalitetit. Të njëjtin veprim, Opozita bëri dhe në seancën e çeljes së sesionit parlamentar të hënën, duke u mbledhur në Shkodër: “Ndodhemi në qytetin simbol të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Elbasani nuk e meriton epitetin “kryeqytet i krimit”. Kemi një kryeministër falso të komanduar nga krimi. Krimi po sundon Shqipërinë. Kontrollin e territorit dhe institucioneve e kanë bandat. Fatmir Xhafaj, Taulant Balla e Jurgis Çyrbja me shokë. Këtu në Elbasan është gjeneza e bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Këtu është Xibraka, ku Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit është pjesë e rrjetit të trafikut. Qeverisje kriminale, nga Saimir Tahiri, tek Agron Xhafaj dhe Ard Veliu që është në krye të policisë”, tha Kryedemokrati Basha.