Nën moderimin e Elona Duro, Niko Komani dhe Jonida Alickolli, çdo moment i finales së Big Brother VIP Albania, po analizohet me të ftuar të shumtë dhe reagime të menjëhershme nga jashtë shtëpisë.
Këto e më shumë po transmetohen gjithashtu edhe në Top Albania Radio, duke sjellë emocionet në kohë reale për të gjithë publikun.
Mbrëmja finale erdhi pas një maratone të gjatë emocionesh dhe nuk munguan surprizat për finalistët. Mateo u emocionua me takimin e shumëpritur me babain e tij, ndërsa Selin surprizoi publikun me një performancë baleti, e ndjekur nga një mesazh prekës në formë hologrami nga babai i saj.
Edhe Rogerti mori një surprizë të veçantë me praninë e Don Phenom, ndërsa finalisti i katërt, Miri, përjetoi një moment të fortë emocional me familjen e tij, prindërit, bashkëshorten, vajzën dhe miqtë e afërt.
Menjëherë pas këtij momenti, reagimi i bashkëshortes së tij, Rabea, erdhi live nga studioja e radios, duke prekur publikun me emocionet e saj:
Unë kam qenë vërtet e emocionuar në momentin kur hyri Miri, kam qarë… Ishte shumë e bukur, mezi prisnim ta shikonim dhe ta përqafonim.
Finalja e BBV po shndërrohet në një spektakël emocionesh të forta, ku përveç garës, në qendër janë familja, dashuria dhe momentet që prekin publikun.