Bota

BE ndëshkon Gjeorgjinë, pezullohen udhëtimet pa viza për zyrtarët e vendit!

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan të hënën pezullimin e udhëtimit pa viza për zyrtarët gjeorgjianë që mbajnë pasaporta diplomatike, thanë dy diplomatë për Reuters. Masa vjen si përgjigje ndaj shtypjes të dhunshme ndaj protestave pro-BE.

Ministrat i kishin kërkuar Komisionit Evropian, krahu ekzekutiv i bllokut, të bënte një propozim për këtë çështje kur ata u takuan në dhjetor. Masa synon të prekë politikanët kryesorë gjeorgjianë pa vendosur një dënim për qytetarët e zakonshëm.

Partia qeverisëse e Gjeorgjisë Ëndrra Gjeorgjiane shpalli fitoren në zgjedhjet në tetor, për të cilat opozita thotë se ishin manipuluar. Më pas, në nëntor, qeveria njoftoi se po pezullonte bisedimet e pranimit në BE deri në vitin 2028, duke shkaktuar protesta të shumta.

Më herët Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas ka njoftuar përmes një postimi në “X” se ministrat e Jashtëm të BE kanë rënë dakord për të zgjatur sërish sanksionet ndaj Rusisë.

 “Ministrat e Jashtëm të BE sapo ranë dakord për të zgjatur sërish sanksionet ndaj Rusisë.  Ky vendim do të vazhdojë të privojë Moskën nga të ardhurat për të financuar luftën e saj. Rusia duhet të paguajë për dëmin që po shkakton”, thekson Kallas në postimin e saj.

Sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Moskës skadonin më 31 janar dhe ministrat e jashtëm të BE-së ranë dakord t’i zgjasin ato për gjashtë muaj të tjerë.