Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të forta pas prezantimit të kabinetit të ri qeveritar nga kryeministri Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për diskriminim të hapur ndaj veriut të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se në përbërjen e qeverisë së re nuk figuron asnjë përfaqësues nga veriu, çka sipas tij tregon një urrejtje të papërmbajtur dhe të pashembullt ndaj kësaj zone.
“Do më falni, por është shprehur një urrejtje patologjike për veriun. Asnjë nga veriu në kabinet. Kjo është e papranueshme dhe nuk është rastësi”, tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se investimet në veri janë në nivele të mjerueshme, duke përmendur se sipas të dhënave të tij, “janë më pak se 1/13 e investimeve që bëhen në zonat e tjera të Shqipërisë.”
Berisha: Natyrisht me sa shoh unë këtu do më falni por është shprehur urrejtje patologjike për veriun, asnjë nga veriu në kabinet. I ka propozu zotit Pacolli zv.kryeministër me kusht që t’ia japë aeroportin, po ai për dinjitet ia ka refuzuar ofertën edhe dy personalitet të Kosovës të cilat kanë menduar ti zëvendësonte me ndonjë verior.
Ky është kabineti i parë në të cilin ka shprehur urrejtjen e tij të papërmbajtur ndaj veriut të Shqipërisë dhe kjo nuk është rastësi. Kurrë pushtues apo diktatorë që të ketë mbajtur këtë qendrim që mban ky ndaj veriut nuk ka patur dhe nuk ka. Investimet në veri janë më pak se 1 e 13 e investimeve në zonat e tjera të Shqipërisë.