Phoebe Gates, vajza 23-vjeçare e Bill Gates, është vënë në qendër të kritikave në rrjet pas akuzave nga një influencuese për mënyrën se si ka tentuar të negociojë një bashkëpunim.
Krijuesja e përmbajtjes Kacie Margis pretendon se Phoebe e ka kontaktuar përmes Instagramit për të promovuar startup-in e saj Phia, duke ofruar një pagesë më të ulët se tarifat e saj standarde.

Sipas Margis, oferta ishte nën 250 dollarë, pavarësisht se kompania raportohet të ketë një vlerë rreth 180 milionë dollarë.
Debati shpërtheu pasi Margis publikoi në rrjetin Threads një mesazh të pretenduar nga Phoebe, ku thuhej se kompania ishte “një startup modest” me “buxhet jashtëzakonisht të kufizuar”, ndërsa kërkonte bashkëpunim.
Influencuesja tha se e refuzoi ofertën, duke shtuar se Phoebe e kishte gjetur përmes platformës Collabstr, ku çmimet e saj janë publike, por kishte zgjedhur ta kontaktonte privatisht për të negociuar një tarifë më të ulët.
Postimi nxiti reagime të shumta, ku përdoruesit e rrjeteve sociale kritikuan ashpër këtë qasje, duke e cilësuar si joetike dhe duke vënë në dukje kontrastin mes “buxhetit të kufizuar” dhe prejardhjes së saj nga një familje miliardere.
Kjo situatë vjen në një moment kur emri i Bill Gates është rikthyer në qendër të mediave për çështje të tjera, ndërsa Phoebe, sipas raportimeve, po përpiqet të ndërtojë identitetin e saj në biznes në mënyrë të pavarur.
Në një intervistë për Yahoo Finance, ajo është shprehur se ka refuzuar financimin nga i ati për projektin e saj, duke theksuar se dëshiron të ketë sukses mbi bazën e meritës personale.
Duhet të provoj veten
–është shprehur ajo, duke shtuar se synon të ndërtojë diçka unike dhe të vlefshme për konsumatorët.
Ndërsa këshilla më e rëndësishme që thotë se ka marrë nga babai i saj është:
Ekipi është zemra e çdo gjëje që ndërton.