Pas një fjalimi të guximshëm në ceremoninë “WSJ. Magazine 2025 Innovator Awards” në New York, ku u bëri thirrje miliarderëve “të ndajnë pasurinë e tyre”, Billie Eilish është bërë temë kryesore diskutimi në rrjetet sociale dhe mediat botërore.
23-vjeçarja, e njohur për qëndrimet e saj të drejtpërdrejta, i drejtoi publikisht një mesazh të fortë elitës së pasur:
Ka disa njerëz këtu që kanë shumë më tepër para se unë. Nëse je miliarder – pse je miliarder? Pa urrejtje, por po, jepni pak nga pasuria juaj, të dashur
– u shpreh Billie përballë një salle plot me figura të njohura si Mark Zuckerberg dhe drejtues të tjerë të kompanive më të fuqishme në botë.
Fjalimi i saj, që u duartrokit gjatë, ringjalli menjëherë pyetjen: sa është në fakt pasuria e Billie Eilish?
Sipas të dhënave të publikuara nga “Forbes”, vlera neto e këngëtares vlerësohet rreth 53 milionë dollarë (45.8 milionë euro) – një shifër që vazhdon të rritet me shpejtësi.
Vetëm turneu i saj i vitit 2019 i solli rreth 18 milionë dollarë, ai i vitit 2022 afro 131 milionë dollarë, ndërsa për turneun aktual “Hit Me Hard and Soft” parashikohen fitime rekord prej mbi 300 milionë dollarësh.
Të ardhurat e Eilish nuk kufizohen vetëm në koncertet e saj.
Dokumentari për “Apple TV+” iu shit platformës për 25 milionë dollarë, ndërsa linja e saj e parfumeve ka gjeneruar mbi 60 milionë dollarë të tjera.
Megjithatë, artistja ka treguar se nuk e shikon pasurinë vetëm si sukses personal. Po atë mbrëmje, u konfirmua se ajo kishte dhuruar më shumë se 11.5 milionë dollarë (9.9 milionë euro) për kauza humanitare dhe fondacione mjedisore – një veprim që shumë e panë si përgjigje të heshtur ndaj fjalëve të saj në skenë.
Billie Eilish, e cila prej kohësh ka promovuar mesazhe të forta për barazi, mbrojtje të ambientit dhe shëndet mendor, vazhdon të tregojë se fama dhe aktivizmi mund të ecin dorë për dore – duke e bërë atë një nga zërat më të ndjerë dhe më të ndjekur të brezit të saj.