Kryediplomatja europiane, Kaja Kallas, paralajmëroi kundër rënies në një “kurth” të Rusisë duke u përqendruar te personat dhe jo te çështjet në bisedimet e mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Komentet erdhën ndërsa ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën në Qipro për bisedime joformale, ku diskutuan se cilat duhet të jenë kërkesat kryesore ndaj Rusisë në çdo negociatë për paqen.
Ditët e fundit, disa liderë europianë diskutuan se kush mund të udhëheqë bisedimet e mundshme me Rusinë, ndërsa janë përmendur disa emra, përfshirë Kallas. Presidenti finlandez Alexander Stubb ishte gjithashtu një nga favoritët e hershëm.
Por, Kallas pranoi se “nuk po ndodh shumë” në negociata aktualisht, ndërsa paralajmëroi kundër fokusimit te individët.
Ky është një kurth ku Rusia dëshiron që ne të biem, që të diskutojmë se kush do të flasë me ta, ndërkohë që ata tashmë po zgjedhin kush është i përshtatshëm dhe kush jo. Të mos biem në atë kurth.
Negociatat janë gjithmonë një përpjekje ekipore. Ka policë të mirë, policë të këqij, ka një strategji për mënyrën se si shkon në tryezë, ndaj përmbajtja është shumë më e rëndësishme.
Kallas këmbënguli se BE-ja duhet të përfaqësohet në çdo bisedim të ardhshëm.
Nëse mendoni për atë që i intereson Rusisë, si për shembull heqja e sanksioneve, ky është një vendim europian.
Ish-kryeministrja estoneze kritikoi ashpër edhe paralajmërimet e përsëritura të Rusisë për sulme të tjera të mundshme ndaj Kievit.
Kjo është ajo që bën Rusia. Meqenëse nuk po fiton terren në fushën e betejës, ajo që po bën tani është rritja e sulmeve terroriste, sepse nuk mund të përshkruhen ndryshe, duke krijuar frikë brenda shoqërisë. Kjo nuk ka funksionuar për katër vite dhe nuk besoj se do të funksionojë tani.
Po dëgjohen edhe ministra të tjerë, para një konference për shtyp.