Aktualitet

BKH-ja përfundoi 34 kontrolle të emrave të përfshirë në dosjen “Balluku”!

Të paktën 54 kontrolle nëpër banesa, zyra dhe biznese nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH me urdhër të prokurorëve të SPAK-ut.  Kjo në kuadër të hetimit për dosjen me akuzat ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorëve, një pjesë e të cilëve në masë arresti. Deri tani u kryen 34 nga 54 kontrolle.

Top Channel mëson se me vendim të gjyqtarit Erjon Çela, ditët në vijim do të procesohen 20 të tjera ndaj biznesmenëve e punonjësve të institucioneve. Pothuajse i gjithë aksioni iu besua agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke u kujdesur që Policia e Shtetit të mos marrë pjesë në kontrollet e ambienteve të brendshme e në mbledhjen e provave.

Më herët, u kontrollua banesa e Sajmir Kuçit, ish-punonjës i Autoritetit të Rrugëve, Erald Elezit ish-drejtor i KESH-it, i pandehur dhe në “Arrest shtëpie” për dosjen e Tunelit të Llogarasë, Gentian Gjylit, ish-kreu i ARRSH-së, i pandehur e në “Arrest shtëpie”, Marsel Hoxhës, Jonida Çeços e Viola Haxhihademit, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aktualisht drejtuese e KESH-it.

Kontrollet bëhen për të vijuar procesin e hetimit për dosjen ku zv.kryeministrja e ministrja Belinda Balluku është zyrtarja më e lartë nën akuzë. Për Ballukun, SPAK-u i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë.