Blake Lively bëri paraqitjen e saj të parë televizive që nga momenti kur ngriti padi ndaj aktorit Justin Baldoni, me të cilin bashkëpunoi në filmin “It Ends with Us”.
Aktorja u shfaq në emisionin “Late Night with Seth Meyers”, ku foli për projektin e saj më të ri, serialin “Another Simple Favor”, por nuk shmangu as referencat ndaj betejës së saj ligjore.
Në një moment gjatë intervistës, Lively bëri shaka me prezantuesin Seth Meyers, duke thënë se ishte e lehtësuar që ai nuk ishte pjesë e “Weekend Update” në “Saturday Night Live”, pasi nuk ishte “aq plotësisht i informuar” mbi çështjen ligjore në fjalë.
Ajo shtoi se nuk mund të hynte në shumë detaje, por e përshkroi këtë periudhë si një nga më të ndërlikuarat në jetën e saj.
Ishte një vit intensiv – me kulme të larta dhe të ulëta ekstreme. Ka shumë gra që kanë frikë të flasin hapur, dhe kjo frikë është e qëllimshme, është ajo që na mban të heshtura. Por jam me fat që kisha mundësinë ta bëja.
Lively gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj grave që kanë ngritur zërin më parë:
Janë ato që më kanë dhënë forcë, më kanë ndihmuar të besoj në veten time dhe të luftoj për një botë më të sigurt për gratë dhe vajzat.
Beteja ligjore me Justin Baldonin nisi në dhjetor të vitit 2024, kur aktorja e akuzoi atë dhe persona të tjerë për ngacmim seksual dhe përfshirje në një fushatë shpifjesh dhe hakmarrjeje.
Rasti vazhdon të jetë nën hetim, ndërsa Lively po përpiqet të rikthehet në jetën publike dhe të fokusohet në karrierën e saj.