Legjenda e Hollywood-it, Brendan Fraser ka thënë se regjisorit Darren Aronofsky iu deshën dhjetë vjet për të gjetur një aktor që të luante një burrë që peshonte më shumë se 272 kg në filmin “The Whale”, përpara se të mendonte për të. Por Fraser, gjatë një bisede jozyrtare në Festivalin e Filmit në Detin e Kuq të dielën, zbuloi arsyen e vërtetë që Aranofsky e përzgjodhi atë në rolin fitues të çmimit Oscar:
Ai po kërkonte një aktor që nuk ishte parë prej disa kohësh dhe rezultoi të isha unë. Ai donte ta rifuste atë aktor përmes një shfaqjeje që do të ishte transformuese dhe do të kishte një element të kësaj ideje që ky “është personi i fundit që mund të prisni të luante këtë rol”.

Brendan Fraser fitoi çmimin e parë të rëndësishëm në kategorinë e ‘Aktorit më të mirë’ në ceremoninë e Oscars të vitit të kaluar. Ky ishte nominimi i tij i parë i kësaj kategorie dhe ai u nominua për rolin e Charlie në dramën psikologjike “The Whale”.
Filmi ndjek mësuesin e anglishtes Charlie, i cili ka vite që po lufton me obezitetin e rëndë. “The Whale” mbulon temat e dashurisë, brishtësisë njerëzore dhe keqardhjes, dhe pas shfaqjes së tij në Festivalin e Filmit të Venecias në vitin 2022, ai mori një ovacion prej nëntë minutash nga publiku. Për këtë rol, Fraser duhej të mbante proteza që peshonin deri në 150 kilogramë.
Më duhej të mësoja të lëvizja në një mënyrë krejtësisht të re. Kam zhvilluar muskuj që as nuk e dija se i kisha.